Database Managment Systems me te perdorura ne 2020
July 24, 2020
BAZAT E PROGRAMIMIT NE C++
August 3, 2020

SISTEMET ERP, ÇELËSI I SUKSESIT TË BIZNESIT

Çfarë është një softuer ERP?

Termi ERP vjen nga shkurtimi i Enterprise Resource Planning, quajtur ndryshe “planifikimi i burimeve të kompanisë”. Ai është zemra dhe memoria e një kompanie dhe integron në një sistem të vetëm gjithë proceset kyçe të menaxhimit të biznesit, si: blerjet, magazinën, prodhimin, shitjet, burimet njerëzore, kontabilitetin. Në kuadër të kërkesave specifike mund të përfshijë e-commerce, CRM dhe business intelligence.

Funksionalitetet e një sistemi ERP përcaktohen posaçërisht sipas llojit të biznesit, nga organizimi dhe nga metodat e tij të punës.

Përse një biznes duhet të implementojë një softuer ERP? Çfarë avantazhesh jep në organizimin dhe rritjen e tij?

Mund të përmblidhet në pak fjalë: “Sistemet ERP paguajnë veten”. Kjo nënkupton që përfitimet ekonomike për sa i përket kursimit dhe ndihmës në rritjen e biznesit janë shumë më të larta në raport me koston e tyre.

Për t’u rritur e për t’u zhvilluar duhen informacione, duhet kuptuar siku dhe kur duhet ndërhyrë. Një nga sfidat që përball çdo biznes kur duhet të marrë një vendim, është nevoja për informacione të sakta dhe të shpejta; informacione që kërkojnë shumë kohë për t’u përgatitur dhe që shpesh janë kontradiktore midis tyre, meqenëse vijnë nga departamente të ndryshme.

Një sistem ERP integron të gjitha të dhënat e kompanisë në një bazë të vetme të dhënash. Kjo bën të mundur të merret informacion i saktë, unik dhe në kohë reale, në formë sintetike ose analitike, jo vetëm për të vlerësuar ecurinë e kompanisë, por edhe duke vendosur në pah pikat e dobëta dhe të forta, që i vijnë në ndihmë zgjedhjes së strategjive për të ardhmen.

Kjo jo vetëm kur duhen bërë zgjedhje strategjike të një niveli të lartë, por edhe në zgjedhjet më të thjeshta të përditshme në çdo kompani, siç janë: Sa lëndë të parë, komponentë apo produkte duhet të blej? Nga kush? Me çfarë çmimi? Cilat kanë qenë konsumet në periudhën e fundit? Çfarë produktesh po shesim më shumë? Me çfarë marzhi fitimi? Si shkojnë shitjet në krahasim me vitin e kaluar? etj.

Të gjitha këto pyetje janë një mori informacionesh bazë, mungesa e të cilave jo vetëm e bën të vështirë ose të pamundur menaxhimin e një biznesi, por në rastin e pasaktësive sjell gabime ose ndikime të mëdha ekonomike.

Një sfidë tjetër e madhe që merr zgjidhje me sistemet ERP është rritja e bashkëpunimit ndërmjet departamenteve të brendshme dhe shkëmbimi i informacioneve midis tyre. ERP kthehet në urën kryesore të komunikimit dhe shkëmbimit të informacionit duke mbledhur, analizuar e duke ua bërë të disponueshme informacionet enteve që kane nevojë për to.

Një sistem ERP redukton kohën e hedhjes së të dhënave nëpërmjet automatizimit të proceseve manuale.

Një ERP eliminon surprizat e mosllogatitjes së saktë të kostove duke shitur më shumë produkte nën kosto dhe pothuajse aspak ato me një marzh të lartë fitimi, në bazë të kësaj ndihmon të përcaktohen strategjitë e shitjeve.

Një tjetër pikë thelbësore është ruajta e informacioneve, si në termat e sigurisë informatike, ashtu edhe në ato të privatësisë, pasi ato përbëjnë “memorien” e kompanisë, e cila s’mund të jetë pronë personale e një ose pak personave. Është e vërtetë që punonjësit janë kapitali i një kompanie, por nga ana tjetër asgjë nuk është përgjithmonë. Sistemet ERP ndoshta nuk janë “truri” i një kompanie, por me siguri janë “zemra”“motori” dhe “memoria” e saj.

THINK SMART, WORK SMART